Secondary Adv

Nga 1 janari 2027, sigurimi i makinës do të verifikohet me kod QR

Duke nisur nga 1 janari 2027, vlefshmëria e policave të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve do të mund të kontrollohet përmes një kodi QR të vendosur mbi dokumentin e sigurimit.

Qytetarët, organet e kontrollit dhe palët e interesuara do të kenë mundësi të verifikojnë në kohë reale nëse polica është aktive, duke skanuar kodin me telefon dhe duke u lidhur drejtpërdrejt me portalin zyrtar të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).


Ky ndryshim parashikohet në rregulloren nr. 159, datë 29 shtator 2021, “Për regjistrin elektronik online të shitjeve”, të ndryshuar. Sipas dispozitave tranzitore, sistemi i verifikimit publik të policave përmes kodit QR do të fillojë të zbatohet nga data 1 janar 2027.


Kodi QR do të gjenerohet automatikisht nga sistemi informatik i shoqërisë së sigurimit në momentin e lëshimit të policës. Ai do të përmbajë adresën e portalit zyrtar të verifikimit të AMF-së, së bashku me Kodin Unik të Raportimit të policës.


Vetë kodi QR nuk do të përmbajë të dhëna personale të pronarit apo përdoruesit të automjetit, duke synuar mbrojtjen e informacionit personal gjatë procesit të verifikimit.


Verifikimi i sigurimit pa regjistrim dhe pa fjalëkalim

Sistemi i ri do të mundësojë kontrollin publik të vlefshmërisë së policave të sigurimit, pa pasur nevojë për krijimin e një llogarie apo përdorimin e kredencialeve të aksesit.


Verifikimi do të jetë i disponueshëm për personat e siguruar, organet e kontrollit, palët e interesuara dhe palët e treta.


Me skanimin e kodit QR përmes kamerës së telefonit ose skanuesit të integruar në një aplikacion, përdoruesi do të drejtohet automatikisht në portalin e AMF-së, ku do të shfaqet rezultati i verifikimit, pa pasur nevojë për veprime shtesë.


Përveç skanimit të kodit QR, rregullorja parashikon edhe mundësinë e kërkimit manual. Përdoruesit do të mund të kontrollojnë një policë duke vendosur Kodin e Raportimit ose targën e automjetit së bashku me numrin e shasisë.


Kërkimi vetëm përmes targës nuk do të lejohet. Gjithashtu, vendosja e një pjese të Kodit të Raportimit nuk do të japë rezultat, pasi sistemi do të kërkojë informacionin e plotë.


Në rastet kur për të njëjtin automjet janë regjistruar disa polica sigurimi, ato do të shfaqen në formën e një liste, duke i mundësuar përdoruesit të hapë dhe të kontrollojë të dhënat e secilës policë.


Portali do të tregojë nëse polica është aktive apo ka skaduar

Pas kryerjes së verifikimit, portali do të shfaqë statusin e policës së sigurimit me përcaktimet “AKTIVE” ose “JO AKTIVE”.


Nëse polica rezulton jo aktive, sistemi do të japë edhe arsyen përkatëse. Një policë mund të ketë këtë status në rastet kur periudha e mbulimit ende nuk ka filluar, ka përfunduar, është anuluar, zëvendësuar, dublikuar ose kthyer.


Për policat e anuluara, të zëvendësuara, të dublikuara apo të kthyera, portali do të shfaqë edhe datën kur ka ndodhur ndryshimi i statusit.


Një element i rëndësishëm i sistemit lidhet me afatin e shfaqjes së policave të skaduara. Deri në 15 ditë pas përfundimit të periudhës së mbulimit, polica do të rezultojë me statusin “JO AKTIVE – SKADUAR”.


Pas kalimit të këtij afati, polica nuk do të shfaqet më në portal dhe kërkimi do të japë përgjigjen “NUK U GJET”. Kjo do të thotë se ky rezultat mund të shfaqet edhe për një policë që ka ekzistuar, por që ka skaduar prej më shumë se 15 ditësh.


Ndërkohë, mesazhi “KOD I REFUZUAR” do të tregojë se kodi i vendosur nga përdoruesi nuk përputhet me formatin e kërkuar nga sistemi.


Çfarë të dhënash do të shfaqen gjatë kontrollit të sigurimit?

Për policat e sigurimit të detyrueshëm TPL, sigurimin kufitar dhe sigurimin e pasagjerëve, portali do të ofrojë informacion mbi shoqërinë e sigurimit, llojin e policës, targën e automjetit, numrin e shasisë dhe datën e lëshimit të dokumentit.


Gjithashtu, do të shfaqen data e fillimit dhe e përfundimit të mbulimit, numri i ditëve të mbetura deri në skadim dhe statusi aktual i policës.

Rezultati i verifikimit do të përmbajë edhe datën dhe orën kur është kryer kontrolli, duke mundësuar identifikimin e momentit të saktë të marrjes së informacionit.


Për Kartonin Jeshil, i cili përdoret për sigurimin ndërkombëtar të automjeteve, parashikohet shfaqja e të dhënave shtesë, përfshirë shtetin lëshues, kategorinë dhe markën e automjetit, pronarin dhe zonat e mbulimit.


Informacioni mbi zonat e mbulimit do të bëhet i disponueshëm pasi të dhënat përkatëse të fillojnë të ruhen në bazën e të dhënave të Regjistrit.


Kufizime për mbrojtjen e të dhënave personale

Rregullorja përcakton kufizime të veçanta për informacionin që do të shfaqet gjatë kërkimit manual, me qëllim mbrojtjen e të dhënave personale dhe të informacionit të kontratave të sigurimit.


Në këtë mënyrë verifikimi nuk do të shfaqen kodi i agjentit, HASH-i i Kodit të Raportimit, numri i kontratës dhe emri i pronarit të automjetit.


Shoqëritë e sigurimit, agjentët dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të mbeten përgjegjës për respektimin e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.


Nëse përdoruesit konstatojnë mospërputhje ndërmjet informacionit të policës së sigurimit dhe të dhënave që shfaqen në portal, do të kenë mundësi ta raportojnë problemin përmes rubrikës “Raporto problem”.


Për problematikat teknike të funksionimit të portalit janë përcaktuar adresat elektronike support@amf.gov.al dhe it@amf.gov.al.


Hap drejt policës digjitale të sigurimit

Vendosja e kodit QR për verifikimin e policave është pjesë e përpjekjeve për digjitalizimin dhe dematerializimin e dokumenteve të sigurimit në Shqipëri.


Gjatë vitit 2027 pritet gjithashtu të zbatohet polica digjitale e sigurimit, përmes përdorimit të nënshkrimit elektronik, duke synuar reduktimin e dokumentacionit fizik dhe thjeshtimin e procedurave për qytetarët.


Megjithatë, zbatimi i plotë i policës digjitale është përballur deri tani me pengesa ligjore, të lidhura me dispozitat e Kodit Civil që parashikojnë vlefshmërinë e kontratës përmes nënshkrimit nga palët.


Ndryshimet që hyjnë në fuqi më 1 janar 2027 do të krijojnë mundësinë që vlefshmëria e sigurimit të kontrollohet drejtpërdrejt në sistemin elektronik të AMF-së, pa qenë e nevojshme që përdoruesit të kërkojnë konfirmim të veçantë nga shoqëritë e sigurimit.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat